| Ne i krijuam aktivitetet e Shkollave të Gjelbra duke besuar se shkollat mund ta pakësojnë ndikimin e tyre negativ ndaj mjedisit jetësor vetëm nëse secili anëtar i bashkësisë së shkollës mendon për ndryshimin e sjelljes së tij në raport me harxhimin e ujit dhe të energjisë, duke u ballafaquar me mbeturinat dhe shprehitë e veta të transportit. Po ashtu besojmë se nxënësit duhet të jenë bartës të ndryshimeve, duke mësuar dhe praktikuar qytetari aktive me kujdesin e tyre për mjedisin jetësor të shkollës së tyre. Ne shpresojmë se Shkollat e Gjelbra do të bëhen frymëzim për secilin anëtar të komunitetit, për secilin prej nesh, që të kujdesemi për mjedisin jetësor përmes të gjitha gjërave të vogla me të cilat ballafaqohemi çdo ditë gjatë jetës sonë.
Me programin tonë Shkollat e Gjelbra ne promovojmë sjellje të përkujdesjes së nxënësve dhe të punësuarve ndaj mjedisit jetësor në shkolla dhe në bashkësinë më të gjerë, mbështesim aksione për mbrojtjen e mjedisit jetësor në shkolla dhe në bashkësinë e shkollës dhe punojnë në drejtim të pakësimit të ndikimit negativ të shkollës ndaj mjedisit jetësor.
Programi jonë është i bazuar në standardin ekologjik ISO 14000, që është përshtatur ndaj moshës së nxënësve dhe nevojave të shkollave.
Me qëllim të arritjes së këtij vizioni, ne i mbështetim shkollat në këto aktivitete:
- I trajnojmë arsimtarët që të formojnë Klube të Gjelbra në shkollat e tyre dhe të krijojnë program edukativ për nxënësit nëpër klube dhe që bashkë me kolegët e tyre ta implementojnë programin;
- Bashkë me arsimtarët hartuam një doracak për punën e arsimtarëve dhe të nxënësve, me qëllim që t’i udhëzojmë nxënësit në problemet ekologjike të shkollës;
- I pajisim Klubet e Gjelbra me pajisje të nevojshme për implemetimin e programit: uniforma të gjelbra për nxënësit, biçikleta të gjelbra për patrullat e tyre ekologjike, me aparate për matjen e efikasitetit energjetik dhe me foto-aparate;
- I mbështesim projektet ekologjike të shkollave, si dhe fushatat për ngritjen e vetëdijes publike me grante prej 1.500 dollarësh për secilën shkollë që merr pjesë në program;
- Organizojmë gara në të cilat nxënësit e Klubeve të Gjelbra do të kenë mundësi të dëshmojnë se çka kanë mësuar për ndikimin negativ të shkollës së tyre ndaj mjedisit jetësor dhe çka kanë bërë që ta pakësojnë atë ndikim.
Klubet e Gjelbra
Klubet e gjelbra janë bartësit kryesorë të ndryshimeve në shkollë. Ato janë formuar nga nxënës të klasave të gjashta dhe të shtata. Të prirë nga koordinimi i arsimtarëve, ata takohen një herë në javë dhe merren vesh si do të veprojnë në raport me katër temat e rëndësishme ekologjike për bashkësinë e shkollës: energjia, uji, transporti dhe mbeturinat. Nxënësit e Klubeve të Gjelbra janë ndarë në katër grupe punuese (ekipe), ndërsa secili ekip e ka për detyrë të përfitojë ekspertizë nga ndonjëra prej katër temave.
Qëllimet e punës së Klubit të Gjelbër janë këto:
- Të pakësohet harxhimi i energjisë në shkollë;
- Të pakësohet harxhimi i ujit në shkollë;
- Të pakësohen mbeturinat që prodhohen në shkollë, dhe
- Të promovohet transporti ekologjik dhe ecja në këmbë.
Që t’i arrijnë këto qëllime, nxënësit e Klubit të Gjelbër zbatojnë një metodologji të bazuar në standardet ekologjike ISO 14000, që përbëhen nga hapat për planifikim, realizim, përcjellje dhe veprim. Nxënësit bëjnë vlerësimin e energjisë dhe ujit të harxhuar, si dhe bëjnë vlerësimin e trajtimit të mbeturinave dhe të shprehive të transportit në shkollat e tyre. Pasi ta zbatojnë vlerësimin, ata i analizojnë të dhënat e mbledhura, i identifikojnë problemet dhe hartojnë projekt për tejkalimin e tij. Projektet e nxënësve përfshijnë aktivitete të tipit të ndërhyrjeve të vogla infrastrukturore, orë edukative me nxënësit e tjerë, fushata ekologjike, ngjarje publike për promovimin e punës, por edhe për ta fituar mbështetjen e komunitetit, propozime për administratën e shkollës për atë sesi të pakësohet ndikimi negativ i shkollave ndaj mjedisit jetësor etj.
Patrullat e Gjelbra të klubeve gjatë kohës së implementimit të projekteve të tyre do ta vëzhgojnë procesin e zbatimit, si dhe ndikimin ndaj bashkësisë së shkollës. Procesi përfundon me evaluimin e rezultateve të arritura të aktiviteteve të projektit në bashkësinë e shkollës, si bazë për një cikël të ri të planifikimit, realizimit, përcjelljes dhe veprimit.
Klubet e Gjelbra punojnë sipas Doracakut dhe Ditarit të punës së Klubeve të Gjelbra, që janë hartuar nga të punësuarit në këtë projekt dhe arsimtarët që morën pjesën në pilot-programin. Ato përmbajnë tabela të ndryshme, pyetësorë dhe shembuj që i udhëzojnë nxënësit gjatë gjithë procesit të mbledhjes dhe analizës së të dhënave, gjatë krijimit të projektit, si dhe gjatë vëzhgimit dhe evaluimit të tij. Ato janë krijuar që të shërbejnë gjatë një viti shkollor, një herë në javë, dhe paraqesin program të detajuar vjetor për punën e Klubeve të Gjelbra. |